3.6 C
New York
November 22, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

RRËFIMI I TRISHTË I VDEKJES SË INXHINIERIT NGA COVID 19!

Ruzhdi Morina, inxhinier i diplomuar i teknologjisë, stduime pesëvjeçare!

U bë një javë vëlla i dashur, nga kur kuptuam se jeta jote ishte në rrezik…

Më thirre herët në mëngjes, ora 6.30, të dilja në ndihmë të sillnim në Prishtinë, nga Gjilani ku ishe tashmë dy ditë i shtrirë, që gjendjen tënde e konsideronin stabile…mjekët pa t’i lëshuar sytë, përveç kur kjo u kërkohej miqësisht dhe jo si detyrim profesional e njerëzor.

Në këtë spital pash një trishtim të madh, një mjek kujdestar për dy reparte, për infektiven dhe pulmologjinë.

Aty e pashë se mjekët i kishin braktisur pacientët, në duar të familjarëve dhe të Zotit, janë (të paktën gjatë vikendeve).

Fraksiparina, tu dha vetëm të dielën, edhe pse në spital u shtrove me gati trefishim të ngjizjes së gjakut, dhe vetëm pasi reaguam pse nuk iu dha ai ilaç, t’hollues gjaku.

E diela kishte nisur jo mirë. Pasdite të kishte filluar përkeqësimi, oksigjeni të kishte rënë, por askush, asnjë mjek nuk kishte reaguar.

Vonë në mbrëmje filluam përpjekjet për të dërguar në Prishtinë.

Pas disa diskutimeve edhe një mjek kërkoi që të mbeteshe deri në mëngjes në Gjilan, për ta vëzhguar gjendjen… (por, realisht askush se përcillte)…

Herët në mëngjes në ora 5.00, tekniku që kishte ardhur për analiza gjaku, nuk arriti ta merrte me gjilpërën që kishte… shkoi dhe solli një tjetër, tha se gjaku t’ishte trashur.

Në ora 6.30 fiks, më thirre të dilja në ndihmë duke të sjellur në Prishtinë…

Kurrë nuk do ta harroj atë moment, kur në vend se të shtrinim në klinikë për trajtim më të mirë anticovid, u desh me urgjencë të këshillohesha me specialisten e pranimit në infektiv, me njoftimin shokues se oksigjeni të kishte rënë edhe 45, e se tani e kishe 52…

Specialistja u stresua, jo se e dinte se kush ishe e të njihte, por u trondit se para duarve të saj mund të ishe një viktimë më shumë…

“Ju lutem mos ma sillni këtu, s’kam çfarë t’i bëjë, do të më vdes këtu”, tha dëshpërueshëm me një zë shumë njerëzor, sikur ne të tre të kishte kohë, që njiheshim, e jo që as ne dhe as ajo nuk na dinte emrat!

Në dëshpërim e i tmerruar, e pyeta se ku pra duhet ta dërgojmë…?

“Dërgone drejt në Intensive, MIQ, kati 4 mbi emergjencë”!

Telefonin e mbaja hapur, dhe i kërkova ta sillnin para emergjencës, dhe nga aty drejt Intensives. Ishte e vetmja shpresë për ne…

Kërkesa tjetër gati shokuese e teknikut që po kryente bartjen, ishte, “siguroje një oksigjen mobil, sa më parë, nuk kemi oksigjen mjaftueshëm, dhe me atë që kemi është e pamundur ta fusim në Intensive, nuk është mobil!”

Me vrap e pa frymë arrita tek Emergjenca, e siguruam bocën mobile, e morëm bashkë me teknikun sapo mbërriti…

Çdo sekondë ishte i madhë, isha pa frymë, edhe më pa shpresë u ndjeva, kur e pashë vëllain, u trondita, gjendja e rënduar… me aq sa kisha dijeni nga mjekësia, e thirra oh Vëlla, Aga Di! zgjohu mbërrite në Prishtinë…! mori frymë me gulçim, thuajse në të qarë ma konfirmoi, duke ngritur kokën, e lëvizur edhe krahun e majtë pak, ndërsa ishte i vendosur në anën e djathtë, ashtu si e pate pozicionin në spital… oksigjeni (saturimi) ishte 52, derisa e ndërruam bocën ra pak, e zbritëm, dhe e nisëm, me të shpejtë, vazhdoja ta thërrisja, që të mos e humbiste vetëdijen, e po aq edhe nga dhimbja dhe dëshpërimi, o vëlla mos më lë, oh vëlla im, vëlla…

arritëm në Intensive, mua më kërkonin të largohesha, vazhdova ta përcillja nga më larg,

sapo ia vendosën zorrën e oksigjenit në maskë, shpërtheu oksigjeni duke u hequr zorra nga muri, sapo e vendosi aty, iu largua nga goja, dhe sapo ia vendosi në gojë u largua nga muri sërish… më shpërthyen emocionet, i bëra thirrje, o ndërroni zorrët (si një ish mjeshtër pajisjesh me presion, e kuptova se ato nuk janë në rregull, sepse përsëritja nuk ishte aksidentale, ishin zorrë pa kualitet, kjo ishte e tmerrshme)… unë po dal, vetëm ndërroni… dikush tha “kjo ndodhë”, tash është në dorën tonë! Por, për mua ishte tmerruese; kjo më goditi, ndjeva sikur po ndodhte vrasja e shpresës… me lotë në sy, i thyer me zor… më lejuan të mos largohesha krejt… pas pak erdhi gruaja ime Violeta, me mantel pune, e lejuan të futej, veshi rrobat mbrojtëse…”

S’kisha ku të merrja asnjë informacion, çdo sekondë ishte minutë, çdo minutë po më bëhej orë e …. javë!

Ma në fund doli, më dha pak shpresë Violeta, oksigjeni iu rrit në 80, tensioni 165 me 109! Dolëm, të siguronim plazmën, tashmë unë i kisha analizat e mia serrologjike, ato treguan se dikur e kisha kaluar gripin, antitrupat i kisha 4.18 (sipas vlerave tjera referente 41.8).

Donim që gruaja t’ia jepte plazmën e gjakut, nivelin e antitrupave e kishte më të lartë, mbi 13 apo mbi 130, por kjo nuk iu lejua nga transfuzioni…

Ora 13.52 min, e mbarova dhënien e gjakut.

I luta, që sa ma parë ta përcillnin për intensive…

e njoftova nënën, që priste me trazim, nuk dinte asgjë për përkeqësimin e gjendjes, as për situatën e re kritike…

Iu ula pranë, pasi i kisha njoftuar më parë thuaja të gjithë se gjendja jote Aga Di, ishte kritike,… i vetëdijshëm se gjërat po shkonin për së keqi, dhe mund të pritej edhe më fatalja…

S’mund të përmbahesha më, kisha kërkuar edhe rrugës një vend të shkrehesha në vaj… Nëna e tronditur (87 vjeçare), shpërtheu në dhembje, Ah, Ruzhdi, djali im më paska vdekur… jo nënë gjallë është, por shumë keq,… jo s’po më kallxon se paska vdek… Jo, nënë është në shok-dhomë (sepse se kuptonte seriozitetin e situatës vetëm duke i thënë në intensive).

Ahhh birë, më paske lënë! Zot ndihmoje djalin tim, lehtësoja dhimbjet, shpëtoje!

Shkova, gjeta një mik, kardiolog, dhe më ndihmoi indirekt që gjaku im të pranohej nga transfuzioni e t’i jepej plazma e gjakut.

Ishte rreth orës 16.30… e takova një specializant në intensive, me të cilin tashmë kishim kontakte, të vënë nga mbesa Fitorja..

Po ashtu Durimi, takoi një teknik…

na thanë se posa të dilnin mjekët mund të hynim ta vizitonim, po prisnim me shumë vullnet, pasi na thanë se oksigjeni me Cpap, i ishte përmirësuar, në mbi 90 e deri në 100…

Ia shpërndamë njoftimin shumicës së familjes, si shenjë përmirësimi e shprese, gruas tuaj, Selvisë, nënës e me radhë…

Ora 17.00, isha ende duke pritur, po vazhdoja komunikimin me miqtë Dr.Ilirin e Dr.Bekimin. Nuk kishte vend për shumë shpresa, … Bekimi më kërkoi t’i siguronim dy barna… janë dëshmuar shumë efikase, njërin duhej ta kishte intensivja, më tha, e porositëm menjëherë ta kërkonin…

Ora 17.30, pas pak në vend të pritjes së ankthshme për vizitë, më thirrën për njoftim… gjendja e juaj vëlla tashmë ishte kritike, mezi ju kishin kthyer në jetë, isha unë fatkeqi që duhej të pranoja lajmin e tillë për ty, që vetëm mirë doja të dëgjoja, veç kobet kurrë, kurrë s’mund t’i pranoja.

Kjo më dërmoi u shkreha në vaj, në dhembjen pa shpresë… dhe sërish unë duhej të jepja lajmin e keq, pas atij të shpresës… se t’i vëlla mund të na lije shpejt, sepse u treguam të pafuqishëm të të shpëtonim…

Isha në ankth, sepse mjeku më tha, mos u largo… nuk mund t’i jepej më asnjë ilaç tjetër pas atyre për mbajtje në jetë, jo pa e marrë veten, e për këtë pak shpresa kishin mbetë!

Vazhdonte të binin telefonat, tmerri im vazhdonte me ankthin e pritjes, me lotët rrëke për rrjedhën tragjike të fatit tonë…

Ora 18.00, më thërrasin dy mjekë, … i afrohem ende me shpresë se mos gjërat ndryshuan për mirë…

E filloi mjeku më i pjekur në moshë me tregimin e situatës së parë… e dëgjoja ende me shpresë se ti vëlla ende jeton, nuk je dorëzuar… por, në fund ma dha lajmin kobëtar, … nuk arritëm ta mbanim në jetë pas sulmit të dytë!

Këtu morën fund shpresat, jeta jote im vëlla ishte prerë… thyerja ime s’kishte të ndalur, veç shpirtit të këputur, vajit në zë duhej ta jepja lajmin e zi, të zisë sonë familjare, se t’i vëlla na la, duke u bashkuar me babanë në udhëtimin drejt qiellit dhe botës së amshueshme!

 

Idriz Morina

30 mars, Prishtinë-Kamenicë

Related posts

Pak orë para spektaklit, Arbana Osmani jep lajmin e hidhur me zemrën e thyer

dardanianews

Rinoqerontët i vërsulen turistëve në parkun nacional në Indi, duke ikur rrokullisen me veturë – lëndohen të gjithë

dardanianews

Hëna e Kuqe’ – eklipsi më i gjatë në 580 vitet e fundit ndodhë sot

dardanianews