Kryediplomatja e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, në 22-vjetorin e rënies, ka përkujtuar dhe nderuar veprën e heroit Sali Çekaj.
Gërvalla thotë se Çekaj ishte një strateg i rrallë politik, njeri i drejtësisë dhe i lirisë, i cili për lirinë e Kosovës luftoi me mjete politike dhe në fund edhe me pushkë në krah.
“Sali Çekaj e dëshironte një Kosovë me dinjitet. T’ia kthejmë së bashku dinjitetin vendit tonë. Ta bëjmë krenar Sali Çekajn dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. T’i bëjmë krenarë për Kosovën e tyre”, shkruan Gërvalla.
Ja shkrimi i saj:
Sali Çekaj, heroi im i pavarësisë
Para pak ditësh ishim në Koshare për të përkujtuar betejën e Koshares dhe të gjithë heronjtë e saj. Sot është 22-vjetori i rënies së vizionarit dhe strategut, babait të dashur dhe shokut besnik, luftëtarit të paepur dhe politikanit largpamës, Heroit të Kosovës, Sali Çekaj.
Trim, i vendosur, i mençur, i matur, i thjeshtë. Personalieti i Sali Çekajt tregon se si mund të jetë Kosova. Ai ishte një strateg i rrallë politik, njeri i drejtësisë dhe i lirisë. Për lirinë e Kosovës ai luftoi me mjete politike dhe në fund edhe me pushkë në krah.
Ai dha jetën për lirinë e Kosovës. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund amanetin e tij. Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende. Drejtësia, kaq e rëndësishme për Sali Çekajn, nuk mbretëron gjithkund në Kosovë. Kosova ka tani armiq të rinj, të cilët duhet t’i luftojë, krimin dhe korrupsionin. Këta janë armiqtë e lirisë, të drejtësisë dhe të Kosovës.
Sali Çekaj e dëshironte një Kosovë me dinjitet. T’ia kthejmë së bashku dinjitetin vendit tonë. Ta bëjmë krenar Sali Çekajn dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. T’i bëjmë krenarë për Kosovën e tyre.
https://www.facebook.com/donikagervalla/posts/10218702155961990