Ekonomisti austriak dhe aktivisti politik Gynter Felinger-Jan, ka një plan edhe për Maqedoninë. Ai propozon që vendi të shndërrohet në një federatë sipas modelit austriak, me tetë krahina, secila me parlamentin, qeverinë dhe guvernatorin e saj, transmeton portali Lideri.mk.
Propozimi, për të cilin shkruan portali Ekspres, është autentik, por verifikimi i fakteve i realizuar nga Plusinfo tregon se nuk bëhet fjalë për iniciativë të qeverisë austriake, të Bashkimit Evropian apo të NATO-s, por për një iniciativë personale politike të Felinger-Jan.
Sipas planit që ai publikoi në platformën X, tetë krahinat do të ishin: Shkupi, Pollogu, Verilindja, Perëndimi, Vardari, Lindja, Jugperëndimi/Ohri dhe Pellagonia/Manastiri, transmeton portali Lideri.mk.
Atyre do t’u jepeshin kompetenca në arsim, kulturë, infrastrukturë, zhvillim rajonal dhe ekonominë lokale, ndërsa pushteti federal do të mbante në kompetencë mbrojtjen, politikën e jashtme, politikën makroekonomike dhe standardet kombëtare.
” “
Felinger parashikon që deri në vitin 2029, Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së, Shengenit dhe OECD-së, si dhe të vendosë euron si monedhë zyrtare.
Verifikimi i fakteve tregon se Felinger, në fakt, nuk është person i panjohur në Maqedoni. Në shkurt të vitit 2021, gjatë qeverisë së Zoran Zaevit, ekonomisti dhe lobisti austriak u emërua anëtar i Komitetit për Miratimin e Investimeve pranë Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik të shtetit.
Nuk bëhej fjalë për një funksion protokollar – komiteti kryente përzgjedhjen përfundimtare të projekteve që aplikonin për mbështetje financiare shtetërore.
Felinger mbeti në Komitet edhe pas largimit të Zaevit nga posti i kryeministrit, deri në vitin 2024, kur, me një vendim të publikuar në “Gazetën Zyrtare”, u shkarkua për shkak të skadimit të mandatit./Lideri

