Ngjarjet e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, që nisën në fillimin e muajit mars me protestat dhe demonstratat e rinisë studentore e më pas edhe të popullit të Kosovës, të cilët u ngritën për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, si dhe statusin e republikës, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë me në krye boshnjakun Cvijetin Mijatović (kryetar i Presidencës , maj 1980, maj 1981), siç dihet tashmë, patën një reagim të ashpër nga Beogradi zyrtar. Udhëheqja e lartë e Serbisë së asaj kohe me në krye kryeministrin Ivan Stamboliç (kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Republikës Socialiste të Serbisë), nga e cila varej asokohe Krahina Autonome Socialiste e Kosovës, dërgoi atje forcat e blinduara dhe i shtypi me dhunë ato protesta, jo vetëm me forcat policore, por duke nxjerrë edhe ushtrinë e tanket në rrugët dhe sheshet e Prishtinës dhe qyteteve të tjera ku u zhvilluan ato protesta paqësore, ku gjatë gjithë atyre ditëve (11 mars – 11 prill 1981), pati gjithsej 12 viktima.
Këto ngjarje të cilat u bënë lajm i parë në të gjitha mediat botërore, si dhe reagimin publik të Tiranës zyrtare, tashmë janë tepër të njohura nga dhjetra shkrime apo dhe dokumenteve arkivore që janë publikuar pas viteve ’90-të kryesisht, por ajo gjë që ka mbetur ende një enigmë e madhe dhe nuk është bërë e ditur deri më sot, është ajo se; si ka reaguar fillimisht ndaj atyre ngjarjeve udhëheqësi i Shqipërisë komuniste Enver Hoxha, cili ishte impakti i parë i tij rreth asaj që po ndodhte në Kosovë dhe çfarë hapash ndërmori më pas Tirana zyrtare, për t’ju ardhur në ndihmë bashkëatdhetarëve të saj në Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës? A iu mbajt Enver Hoxha asaj çka kishte thënë në vitin 1970, se Fadil Hoxha dhe udhëheqja e lartë e Kosovës po bënin shumë mirë që ishin kundra që Kosovës t’i jepej statusi i Republikës në kuadrin e Federatës Jugosllave, apo kishte ndërruar mëndje dhe qëndrimin e tij?!Lidhur me këto etj., na njohim disa dokumente arkivore që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit (fondi personal i Enver Halil Hoxha) të cilat kanë qenë të panjohura deri më sot dhe do të publikohen për herë të parë dhe në disa numra nga Memorie.al. Nga dokumentet në fjalë, vihet re se që nga 4 marsi 1981, (kur filluan për herë të parë protestat spontane të rinisë studentore në Prishtinë), e deri më datën 3 prill kur Enver Hoxha ka zhvilluar një takim pune me kryeministrin Mehmet Shehu dhe Ramiz Alinë për ngjarjet në Kosovë, pra për një muaj rresht, ka pasur një heshtje të plotë dhe nuk është zhvilluar asnjë mbledhje e Byrosë Politike apo sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, pra asnjë reagim nga udhëheqja e lartë e PPSH-së e Tirana zyrtarePo kështu, ajo që vihet re në këto dokumente, është paniku që ka pushtuar udhëheqësin kryesor të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili ka qenë i dyzuar dhe i pavendosur mbi qëndrimin që duhet të mbante Tirana zyrtare mbi ngjarjet në Kosovë, aqsa në një bisedë tjetër në Shtëpinë e Partisë më 5 prill 1981 me “shokët e udhëheqjes”, (Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kadri Hazbiu, Pali Miska, Spiro Koleka, Rita Marko, Pilo Peristeri, Simon Stefani e Qiriako Mihali, Nedin Hoxha e Behar Shtylla), ku ata shkonin për kafe, apo për të luajtur me letra, bilardo etj., Enveri i pyet ata: “Ç’mendoni për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe ç’duhet të bëjmë ne? A duhet të mbajmë qëndrim dhe të shqetësohemi, apo jo”? Po kështu gjatë një bisede tjetër të shkurtër që Enver Hoxha ka pasur në zyrën e tij me Ramiz Alinë afro një muaj më pas (më 13 maj 1981), ai i ka thënë atij: “Për ngjarjet në Kosovë, mua më duket se duhet të mendojnë edhe vartësit tanë dhe të mos pritet prej tyre që të mendoj vetëm unë”!
Lidhur me këto etj., na njohin këto dokumente arkivore të cilat i përkasin periudhës prill-qershor 1981, ku Enver Hoxha ka zhvilluar disa biseda dhe takime, si me dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, (kryeministrin Mehmet Shehu dhe sekretarin e Komitetit Qendror, Ramiz Alia), ashtu dhe me Byronë Politike, e sekretariatin e Komitetit Qendror, të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
DOKUMENTI ARKIVOR I TAKIMIT TË ENVER HOXHËS ME MEHMET SHEHUN DHE RAMIZ ALINË, ME 3 PRILL 1981, LIDHUR ME NGJARJET DHE DEMONSTRATAT E ZHVILLUARA NË KOSOVË
LIDHUR ME DEMONSTRATAT NË KOSOVË, 3. IV. 1981

