“Piranjat” në Abc të moderuar nga Arilena Ara dhe Florjan Binaj, kanë trajtuar këtë të diel një temë mjaft shqetësuese, siç janë martesat fiktive, e cila mesa duket është kthyer në një lloj biznesi.
Përgjatë viteve të fundit kemi parë shpesh emigrantë shqiptarë që pasi marrin ekspuls nga vendet e BE ku punojnë, vijnë në Shqipëri dhe marrin mbiemrin e gruas në mënyrë që të lëvizin lirshëm në ato vende ku punojnë.
Por ajo që po bëhet më shqetësuese janë martesat fiktive, ku persona me precendentë penalë në vendet e Europës, kthehen në Shqipëri dhe me anë të personave të tretë gjejnë një grua sa për “letra” kundrejt një pagese që varion nga 50-100 mijë lekë të rinj.
Në pamje të parë duket sikur përfitojnë të dyja palët edhe nusja e cila shet mbiemrin, por edhe “dhëndri” i cili ka arritur t’ia hedhë sistemit pasi me një pasaportë të re ekspulsi nuk i prish më asnjë punë për të jetuar në çdo vend të BE-së.
Piranja jonë, Aida Topalli, ka shkuar në jug të Shqipërisë, duke na sjellë tablonë reale të kësaj që është duke ndodhur.
Zonja e cila ka bërë një martesë fiktive nga ku ka përfituar 1 mijë euro, tashmë gjithçka i është kthyer në bumerang, pasi po i dalin probleme me gjyqin e divorcit.
“Nusja” e re e cila ka një fëmijë me bashkëjetuesin e saj, nuk po arrin të regjistrojë djalin me mbiemrin e babit të tij biologjik, pasi gjykata e njeh atë si fëmijën e burrit me të cilën e reja u martua vetëm për t’i dhënë mbiemrin e saj, që ky i fundit t’i shpëtonte ekspulsit.
Siç rrëfen edhe vetë ajo shuma prej 1 mijë eurosh që mori për martesën fiktive është shumë e vogël krahasuar me atë që do duhet të paguajë për t’i njohur atësinë e fëmijës së saj babit biologjik, që është edhe bashkëjetuesi i saj.
Por rasti i kësaj zonje nuk është i vetmi, pasi në shumë zona të Shqipërisë martesat fiktive tashmë janë kthyer në biznes, dhe sigurisht që viktimat reale të gjithë kësaj që po ndodh janë gratë, të cilat shpesh ndërmarrin veprime të tilla ligjore që arrijnë deri në martesë për shkak se ju duhen para.
Avokatë dhe njohës të të drejtave civile shprehen për “Piranjat” se shpesh personat të cilët paguajnë për të marrë mbiemrin e një gruaje janë kontigjentë të krimit në vendet e BE.