8.6 C
New York
December 10, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Deputeti i VV-së Fitim Uka, reagon më fakte, lidhur me shpifjet e fundit për familjarët e tij!

Deputeti i Vetëvendosjes, dr. Fitim Uka, ka reaguar në llogarinë e tij zyrtare ne fb, lidhur me shpifjet e fundit të disa portalëve, lidhur me familjarët e tij.

Postimi i plotë:

Ky është postimi im i fundit në lidhje me “super-hulumtimin” e realizuar nga një ueb-faqe me lajme, në të cilën jam akuzuar dhe linçuar nëpërmjet propagandës dhe shpifjes, gjoja se kam punësuar familjarët e mi. Për lajmin dhe dëmin shumëdimensional që më është shkaktuar në opinionin publik, kam filluar procedurat ligjore. Ndërkaq, ju të gjithëve, ju jam mirënjohës për mbështetjen e pafund që keni shprehur ndaj meje dhe të vërtetës. Në veçanti, dua të falënderoj ish-kolegët e mi gazetarë-profesionistë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, që kanë reaguar kundër kësaj propagande.

Pas kërkesës së miqve për demant të plotë (me FAKTE), më duhet të ju humb edhe pak prej kohës tuaj të çmuar. Për të mbajtur vëmendjen tuaj këtu, postimi përmban edhe një dozë simbolike humori (të shprehur me anë të KOMENTEVE), që mund ta kuptojnë ata që e dinë matematikën elementare dhe logjikën e thjeshtë që “unë jam djali i babës dhe jo baba djali im”.

Prandaj, ju ftoj që ta lexoni hulumtimin sensacional të familjes tonë mbi trungun tonë familjar dhe itinerarin e punësimeve të tyre (që deri sot kanë qenë të panjohura edhe për ne). Unë, deputeti Fitim Uka, flas publikisht për rrjetin e ndikimit që kam shtrirë në të gjitha institucionet private dhe publike të Kosovës dhe rajonit, që nga dita e parë e lindjes sime. Niqeni, sepse do të mbeteni pa frymë…

FAKT: Ruzhdi Uka, babai, i punësuar për herë të parë në vitin 1961 në arsim. Plot, 36 vjet pune në arsim (përfshirë edhe vitet e punës pa pagesë).
KOMENT: Aktualisht, babai është i revoltuar me faktin që nuk e kam bërë drejtor shkolle në vitin 1987, kur erdha në jetë dhe kisha pushtet absolut.

FAKT: Qamile Uka, nëna, e punësuar si amvise pa pagesë në shtëpinë tonë prej kur e mbaj mend.
KOMENT: Nëna është e indinjuar që nuk ka dalë në fotografinë e pemës familjare. Sidoqoftë, sapo më arsyetoj për mospunësim, në mungesë të diplomës bachelor.

FAKT: Yllka Syla, gruaja AKA “shefi”. E diplomuar në psikologji në vitin 2012, e diplomuar edhe në etnologji në vitin 2011, master i etnologjisë në vitin 2015 dhe e punësuar në vitin 2015 si asistente në Komunën e Prishtinës dhe e pa-avancuar përkundër titujve shkencorë.
KOMENT: Më duhet ta pranoj, që kam recituar në shkollën fillore të gruas si gjashtë vjeçar dhe aty kam shfrytëzuar rastin, që t’ia sigurojë diplomën e shkollës fillore.

FAKT: Sami Uka, vëllau i madh. I diplomuar në vitin 1996 në mjekësi, specialist i mjekësisë familjare në vitin 2002, master i kujdesit parësor shëndetësor në vitin 2012 nga Universiteti i Londrës. I punësuar si mjek vullnetarë (PA PAGESË), për herë të parë në shoqatën “Nëna Terezë” në vitin 1996 për tre vjet rresht, mësimdhënës i mjekësisë në shkollën e mesme të mjekësisë para lufte dhe pak pas lufte, mjek në International Medical Corps në vitin 2000, trajner i mjekësisë familjare për një kohë, mësimdhënës në arsimin e lartë, një “kallabllak” pozicionesh tjera, por më e rëndësishmja, nga viti 2006 deri në vitin 2018 ka punuar si zyrtar i lartë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
KOMENT: Në vitin 1996, unë sapo kisha mbushur 9 vjet, por siç mund ta shihni, kontrolloja edhe punësimet në sistemin paralel të arsimit shqip dhe punësoja njerëz pa pagesë në shoqatën humanitare “Nëna Terezë”. Poashtu, si student i vitit të parë në psikologji, ia kisha dalë që të shtrijë ndikimin tim në rrafshin ndërkombëtar dhe ky ndërmjetësimi i imi rezultoi me punësimin e tij në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kush është xheloz, edhe mund të mos e besoj.

FAKT: Naim Uka, vëllau i dytë. I diplomuar në vitin 2003 në Fakultetin e Mjekësisë. Specialist i mjekësisë ligjore në vitin 2013. Ka përfunduar studimet post-diplomike në mjekësinë forenzike në vitin 2007 në Universitetin Coimbra – Portugali. I punësuar vetëm në vitin 2008 në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku punon edhe sot. Tash e disa vite është ligjërues në Arsimin e Lartë Privat. Përndryshe, prezantues në dhjetëra konferenca ndërkombëtare gjithandej nëpër botë dhe organizator i shumë ngjarjeve me karakter shkencor në lëmin e Mjekësisë Ligjore. Nga viti 2016 është edhe pjesë e INTERPOL.
KOMENT: Në kohën kur është punësuar Naimi, për herë të parë (2008), unë kam qenë duke shijuar jetën studentore (vitin e tretë), por nëpërmjet përvetësimit të hipnozës ia kam dal që ta shtrijë ndikimin tim në vendimmarrje edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkaq, në INTERPOL e kam rehatuar me ndihmën e “asociacioneve të lira”.

FAKT: Lulzim Uka, vëllau i tretë. I diplomuar në maj 2005 në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Poashtu, ka fituar gradën master në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në vitin 2014. I punësuar në tetor 2013. Kam qenë bashkëpunëtor i tij i ngushtë në tregun e gjelbërt të Prishtinës për 6 vjet.
KOMENT: Në vitin 2013, kur Lulzim Uka është punësuar, unë isha me studime në Gjermani dhe falë aleancës me miqtë tanë gjerman ia dola që ta rehatoj në pozitën më të mirë, pas 8 viteve që kaloj si i papunë edhe pse me diplomë fakulteti në xhep.

FAKT: Aferdita Uka-Fejzullahu, motra e madhe. E diplomuar në vitin 1997 në Fakultetin Filologjik në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Nga nëntori 1998 ka punuar si infermiere. Në vitin 1999 ka punuar si profesoreshë e letërsisë. Nga tetori 1999 ka punuar si gazetare në të përditshmet “Kosova Sot”, “Zëri”, revistën e përjavshme “Zëri”- dhe revistën për familje “Teuta”. Nga nëntori 2011 e deri më tani është zëdhënëse në “Termokos”.
KOMENT: Për shkak se në lagjen tonë nuk ka nxemje qendrore, si i sapodiplomuar në fakultet, dhe me vetëm 20 vjet e punësova motrën në Termokos. I zhgënjyer me të dhe me performancën e saj. Edhe pas 9 viteve, nuk kemi nxemje qëndrore në lagjen tonë.

FAKT: Sabedin Fejzullahu, dhëndrri i madh. Ka përfunduar fakultetin e mjekësisë si student i dalluar në vitin 2001, ndërkaq specializimin nga lëmi i gjinekologjisë në vitin 2008. Punon që nga viti 2009 në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike.
KOMENT: Sabedinit i kam ndihmuar që të përfundoj fakultetin e Mjekësisë. Në atë kohë mësoja biologjinë në shkollën fillore dhe e kisha të lehtë. Largpamësia ime e dinte që do të përfundonte si dhëndërr i imi dhe isha angazhuar seriozisht që t’ia përfundoja fakultetin e mjekësisë dhe ta punësoja në QKUK, atëherë kur unë i kisha vetëm 20 vjet.

FAKT: Zahide Uka, motra e dytë. Ka përfunduar shkollën e Lartë Pedagogjike në vitin 1997. Në vitin 1997 ka filluar punën në Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza” (pa pagesë). Në vitin 1999, është punësuar në QKUK dhe ka qëndruar në të njëjtin profesion e pa u avancuar kurrë. Edhe sot, punon si infermiere dhe është në vijën e parë të frontit kundër Covid 19. Punon si infermiere, edhe pse është logopede e diplomuar (2016) dhe master i psikologjisë. KOMENT: Kjo motër ka shprehur përherë dëshirën për të qenë gazetare. Prandaj, nuk kam intervenuar që ta avancojë në profesionin tjetër. E kisha mundësinë që ta avancoja kur e kreva shkollën fillore, por e lashë. Nesër, do të investoj që t’i hap një ueb-faqe dhe do ta gënjej që i kam hapur portal dhe do ta gënjej poashtu që është bërë gazetare, nëse nxjerr çdo lajm për të cilin e paguaj unë.

FAKT: Besnik Rraci, dhëndrri i dytë. Studimet bazike në Histori i ka përfunduar në vitin 2006, ndërkaq studimet master në po të njëjtin drejtim në vitin 2017. Është PhD cand. në Universitetin e Zarës që nga viti 2019. Në vitin 1999, është punësuar për herë të parë në stafin e sigurisë së presidentit Ibrahim Rugova. Në vitin 2006, është punësuar në Muezun e Kosovës dhe tani është bashkëpunëtor profesional “kustos i lartë”. Është përkrahës i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
KOMENT: Në vitin 2006, si 19 vjeçar, mora nën kontrollë një pjesë të LDK-së dhe muzetë e Kosovës. E rehatova në Muzeun kombëtar dhe që nga ajo kohë nuk komunikojmë më bashkë, për shkak të qëndrimeve të tij politike ?.

FAKT: Antigona Uka Lutfiu, motra e vogël. E diplomuar në psikologji në vitin 2010 dhe master i psikologjisë në vitin 2017. Punësimin e parë si gazetare e ka pasur qysh në vitin 1999, si adoleshente, profesion që e ushtron edhe sot. Në vitin 2012, është punësuar si zyrtare administrative në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe në vitin 2014 në rolin e zyrtares për informim në Gjykatën Supreme.
KOMENT: Flitet që unë ia kam bërë vizatimet në shkollë fillore. Po, është e vërtetë. Si gjeni edhe i vizatimeve, unë në klasën e parë e ndihmoja Antigonën në klasën e tetë që të vizatonte. Përveç kësaj, i bëra edhe një favor tjetër. Edhe pse nuk isha në Kosovë për disa vjet, me mesazhe nga diaspora, e kam rehatuar në punë.

FAKT: Ekrem L Lutfiu, dhëndrri i vogël. Ka përfunduar studimet në fushën e Shkencave Shoqërore, Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv në vitin 2005. Ka punuar që nga viti 1999 në Kryqin e Kuq Danez në Kosovë, pastaj në vitin 2006 ka punuar si gazetar në Preshevë, Kosovë Lindore. Që nga viti 2013, punon si zëdhënës në Sistemin Prokurorial (Këshilli Prokurorial dhe Prokuroria Speciale e Kosovës).
KOMENT: Përndryshe, nëpërmjet lidhjeve të mija me Kosovën lindore dhe linjës time direkte të komunikimit me Zyrën e Punësimeve të Bashkimit Evropian, e pata punësuar fillimisht në Kryqin e Kuq Danez.

Pak më serioz tash…
Kështu që, të thuash këta punojnë dhe shihni turpin (ndërtimi i këtij raporti), është sa jo-profesional, aq edhe i ultë. Kështu që, mos prisni të iu kërkoj falje, që këta nuk vjedhin!

Tash, po besoj që e keni të qartë të vërtetën dhe e kuptoni se si është promovuar dhe shitur shpifja. Aq larg fluturoi, sa që edhe deputetë e ish-deputetë, figura publike e morrën dhe e shpërndanë.
Por, më duhet ta pranoj, që një pjesë e tyre edhe e kanë larguar lajmin dhe më kanë kërkuar falje. Prandaj, të falur janë.
Edhe ata që vazhdojnë ta mbajnë postimin e rremë dhe kërkojnë linçimin tim, do t’i falë, sepse mbase mbledhin ndonjë votë më shumë dhe e kalojnë pragun.
Ndërkaq, përgjegjës do ta mbajë vetëm këtë ueb-faqen. Prandaj, unë nuk kam kërkuar dhe nuk po kërkoj kërkim-falje nga kjo faqe me lajme. Sepse, kërkim falja nuk mjafton për dëmin e shkaktuar me qëllim.

Edhe gjysma e të vërtetës është gënjeshtër. Prandaj, më lejoni që të iu informojë që familja ime është pak më e madhe. Unë kam edhe axhallarë, dajë, halla, teze, nipa e mbesa, kunata, kushërinjë e kushërira. Veq trungu i ofrohet numrit 100, dil pak ma andej e kalon 300. Prandaj, përzgjedhja është tendencioze. Por, për këtë dhe shkeljet e tjera që do t’i bashkangjiten rastit, do të vazhdojmë me rrugët ligjore.

Shëndet për ju dhe familjet tuaja!

Related posts

ÇFARË PËRFUNDIMI!! Granit Xhaka shënon dy gola për 3 minuta në ndeshjen e tij të fundit për Gunners

dardanianews

Skandaloze: Prifti serb heq flamurin shqiptar që ndodhet në Koshare që nga viti 1999

dardanianews

Ronaldo humb penalltinë, shpërthen në lot

dardanianews