Gazetari dhe historiani Marin Mema ka reaguar ashpër pas deklaratave të zëvendësministrit grek Konstandinos Gkioulekas, i cili gjatë një vizite në Korçë u bëri thirrje qytetarëve grekë ta vizitojnë qytetin për të njohur rrënjët e njerëzve të tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mema ka kritikuar qëndrimet e zyrtarit grek, duke kujtuar se prej 14 vitesh, sipas tij, i është ndaluar hyrja në Greqi për shkak të dokumentarëve dhe hulumtimeve historike mbi Çamërinë.
“Prej 14 vjetësh jam ‘Non Grata’ në Greqi, sepse dëshmova nga terreni të vërtetën për Çamërinë dhe trojet e tjera të mbetura në Greqi… ndërsa një zvministër grek zbret në Korçë dhe u bën thirrje grekëve të vijnë për të parë, sipas tij, tokën e të parëve të tyre!”, shkruan Mema.
Gazetari ngre pikëpyetje mbi mesazhet që përcillen nga zyrtarët grekë gjatë vizitave në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë historike dhe kombëtare të Korçës.
“Çfarë të parësh kërkojnë këta në Korçë? Ky qytet është një nga gurët e themelit të Lëvizjes Kombëtare, ku shumë figura dhanë jetën për gjuhën shqipe!”, shprehet ai.
Mema shkon më tej, duke kritikuar edhe nisma të tjera që, sipas tij, lidhen me pretendime historike, çështjen e minoriteteve, memorialet dhe varrezat greke në Shqipëri.
“Njëri kërkon minoritet aty ku nuk ka, tjetri vendos Zervën, tjetri do muze më të madh e mbi të tanët në qytetin e pavarësisë, tjetri do varreza, territore! E frikshme!”, përfundon gazetari.

