Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar ashpër pas deklaratës së presidentit Hashim Thaçi në Rubikon të Klan Kosovës ku tha se nëse dikush nga familja e saj i ka shërbyer Serbisë, ky të njëjtit i ka luftuar.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se Thaçi, të cilin e quajti me nofkën “gjarpri”, po e shpall familjen e saj tradhtare ashtu siç e kishte shpallur, sipas saj, Ibrahim Rugovën nga vitet e 90’ta dhe tutje.
“Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime. Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura”.
Osmani në këtë reagim të ashpër nuk e ka lënë pa përmendur edhe partinë ku ajo bën pjesë duke thënë se zgjedhja e Hashim Thaçit president do të mbetet njollë e zezë në historinë e LDK-së, njofton Klan Kosova.
“Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e qon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri ateherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tone”.