7.4 C
New York
March 29, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Rasti “Pronto” përfundon pa asnjë të dënuar, si erdhi deri te shpallja e 11 të akuzuarve të pafajshëm

Gjykimit të rastit të njohur si “Pronto” i ka ardhur fundi. Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme që ta lirojë nga akuza ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, “Pronto” ka përfunduar dhe tashmë të 11 të akuzuarit në këtë rast janë shpallur të pafajshëm.

Ilhami Gashi ishte liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit. Kjo e fundit e kishte dënuar atë me një vit e katër muaj burgim me kusht, e që deri para këtij vendimi ishte i vetmi nga 11 të akuzuarit e këtij rasti me një aktgjykim dënues, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Kështu Supremja, ka vendosur përfundimisht që Gashi të lirohet nga akuza për veprën penale “Shkelja e statusit të barabarët të Shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Aktakuza e ngritur ndaj 11 të dyshuarve në rastin “Pronto”

Në Prill të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 11 të dyshuarve në rastin e njohur si “Pronto”.

Në këtë çështje penale kanë qenë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohshin për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës,

Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 janar të vitit 2020 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve në rastin e njohur “Pronto”. Mirëpo Gjykata e Apelit, më 30 qershor 2020, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtorë Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Adem Grabovcit Apeli i kishte shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohej në rast se ai nuk kryente vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Grabovcit i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i njëjti nuk kryente vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu i ishte hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa, Sedat Gashi ishte dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i njëjti nuk kryente vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i ishte hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Kurse për të tjerët, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin, Nijazi Kryeziun, Arbenita Pajazitin, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Shurdhajn, Ismet Nezirajn, Xhavit Dakajn dhe Rexhë Abazin, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë.

Ndaj këtij vendimi palët kishin bërë ankesë në Gjykatën Supreme, e cila më 29 shtator 2020 kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të 30 qershorit 2020.

Mirëpo, pasi palët kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kjo gjykatë në prill të vitit 2021 e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç`rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin dhe e kishte kthyer rastin në rivendosje.

Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2021 kishte njoftuar se ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket të Ilhami Gashit, ndërsa sa i Grabovcit dhe Sadat Gashit, kjo gjykatë pati njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së dhe kishte vendosur që edhe ata dy të shpallen të pafajshëm. /Reporteri.net/

Related posts

Serbia nis tërheqjen e trupave ushtarake nga kufiri me Kosovën

dardanianews

Thaçi paralajmëron fundin e karrierës politike, tregon se mund t’ia nisë një pune tjetër

dardanianews

Raketa kineze ka dalë jashtë kontrollit, mund të bjerë shumë pranë Shqipërisë

dardanianews