Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, Alisa Jetullahu, ka reaguar pas deklaratës së gazetarit dhe kryeredaktorit të ATV-së, Leart Hoxha, i cili tha në emision televiziv se e din një rast kur një kandidate për deputete ka shpenzuar rreth 250 mijë euro për t’u bërë deputete.
Përmes një postimi në “Facebook”, Jetullahu kërkoi nga Hoxha të sqarojë deklaratën e tij dhe të bëjë publike faktet nëse aludimet lidhen me të.
Postimi i saj i plotë:
“Në një emision, gazetari Leart Hoxha, kryeredaktor në ATV, deklaroi se ai e di një rast kur një kandidate për deputete ka shpenzuar rreth “çerek milion euro” për t’u bërë deputete.
Si gazetar, e veçanërisht si kryeredaktor në një medium jo të vogël, ai, derisa supozohet se i mëson gazetarët e deskut të tij se duhet për secilin informacion të kenë faktim të deklarimeve e për më tepër nga dy-tre burime dhe se duhet të jenë konkret, preciz, të saktë e të qartë, vetë Hoxha në deklaratë nuk u tregua as konkret, as i saktë, as preciz e as i qartë.
Por, derisa emër nuk përmendi, kjo deklaratë për mua nuk nënkuptonte asgjë, përveç njohje të faktit se gazetaria më të vërtetë sot ka probleme, kur një kryeredaktor flet pa të dhëna konkrete në emision. Megjithatë, më vonë, pash një organizim të strukturuar duke aluduar se Hoxha e kishte për mua kur po fliste.
Prandaj, shtyhem të reagoj. Së pari, unë absolutisht e kam ditur sa terren i vështirë është politika. Veçanërisht për vajza e gra të reja. Jo rastësisht, ne ende na duhet kuotë për të garuar, sepse ekziston një strukturë e tërë e ndërtuar mirë, me tone patriarkale, që e ka angazhim të vazhdueshëm luftën sepcifikisht e veçanërisht kundër grave në politikë. Jo rastësisht, deri me 80 për qind e grave janë të papuna në Kosovë.
Jo rastësisht, gratë paguhen më pak për punë të njëjtë si burrat në Kosovë. Jo rastësisht, derisa diplomojnë çdo vit shumë më shumë gra se burra, vazhdojnë të punësohen shumë më shumë burra se gra. E kjo çfarë po them unë nuk është viktimizim. Ky është fakt. E di çdo grua.
di edhe unë. Pikërisht se e di kam dashur të futem në politikë që të lëvizë një gur, sado të vogël, në përmirësimin e këtyre statistikave që për gratë nuk janë veç të dhëna, por jetë e vështirë e përditshme.
Tani, kërkoj nga Leart Hoxha, ta konkretizojë deklarimin e tij. Ta thotë me emër se a bëhet fjalë për mua në atë çfarë ai e tha si thashethem në studio. Kërkoj nga ai të publikojë fakte, të dhëna.
Të përmend emra. Dhe këto t’i bëjë në publik vullnetshëm, sepse në Gjykatë do të jetë i detyruar, pasi unë, në momentin që ai e konkretizon se e kishte për mua, do të procedojë me padi për shpifje. Si përfundim, në këtë situatë unë nxjerr diçka pozitive.
Kur e vërteta të flitet, të faktohet e të jetë prezente publikisht, do të kuptohet se nuk kishte asgjë nga aludimet në raport me mua, por në anën tjetër unë do jem person më i njohur publikisht e njohja më e gjerë në politikë gjithmonë është e mirëseardhur.
Falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar në zgjedhjet e fundit. Vërtetë nuk janë pak e jam fort mirënjohëse.
Nuk e marrë për të garantuar asnjë votë. Dhe i siguroi, se situata e fundit ishte veç forcim shtesë i bindjes time që e kisha edhe më herët, se lufta ime për gra të forta e të barabarta duhet të vazhdojë e terreni pa diskutim është politika. Me respekt,E juaja Alisa.”, ka shkruar ajo.

