8.3 C
New York
March 28, 2024
DardaniaNews
FeaturedHistori

Roli i OZNA-s dhe KGB-së në Shqipërinë e pasluftës

Christopher Andrew dhe Oleg Gordievsky, i pari historian britanik dhe tjetri agjent i dyfishtë sovjeto-britanik, përgjatë ndërtimit të librit më të plotë për historinë e shërbimit famëkeq të spiunazhit sovjetik, KGB (me titull “KGB”) kanë zbuluar detaje të panjohura për ndikimin në Shqipëri.

Historia e operacioneve politike nga Lenini te Gorbaçovi kanë përfshirë të paktën dy histori shqiptare. E para ka lidhje me ndihmën që i kanë dhënë Enver Hoxhës, për të fituar mbi Koçi Xoxen, dhe e dyta sqaron saktësisht vlerën e informacioneve për krerët komunistë shqiptarë të agjentit britanik, Kim Filbi (Philby), që i shërbente KGB-së. Ishin vitet 1944-1947, kur Koçi Xoxe, i mbështetur nga jugosllavët, kishte pasur një karrierë të suksesshme në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, madje në fund të kësaj periudhe, po me mbështetjen e jugosllavëve, ai kishte arritur të vinte nën kontroll pothuaj gjithçka, duke mënjanuar edhe vetë komandantin Enver Hoxha.

Sipas dy autorëve të librit, shërbimi sekret sovjetik, që në atë kohë emërtohej MGB (Ministria e Sigurisë së Shtetit, 1947-1951), pasi ende nuk ishte formuar KGB (Komiteti i Sigurisë së Shtetit, 1954-1991), kishte shtrirë rrjetën e tij të spiunëve në të gjitha vendet e kampit socialist, duke luajtur rol vendimtar në kalimin e tyre në vende të “demokracive popullore”. Por, në Shqipëri, më shumë se sovjetikët, deri në vitin 1948 ishte shërbimi sekret jugosllav OZNA (Byroja e Mbrojtjes Popullore), pararendësja e UDBA-s (Zyra e Sigurisë së Shtetit), që bënte ligjin.

JUGOSLLAVËT FUQIZUAN XOXEN

Sipas dy autorëve, suksesi i parë i rëndësishëm i shërbimit sekret sovjetik ishte pikërisht hedhja në erë e influencës së Titos në Tiranë. Tekstualisht sipas librit: “… suksesi i parë i rëndësishëm i MGB-së në luftën e fshehtë kundër UDBA-s ishte organizimi në Shqipëri i një puçi kundër Titos. Para ndarjes me Titon, Stalini kishte rënë dakord që Shqipëria të mbetej një satelit i Jugosllavisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore “këshilltarët” jugosllavë riorganizuan Partinë Komuniste të Shqipërisë nën udhëheqjen e Enver Hoxhës në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Koçi Xoxen në postin e ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë e kontrolluar nga komunistët.

“Pa luftën e popujve jugosllavë”, ka thënë Enver Hoxha pas luftës, “kundërvënia e popullit shqiptar të vogël në numër, do të kishte qenë e pamundur”. Nën trysninë e OZNA-s, partia e shqiptarëve u spastrua nga “trockistët” dhe “devijuesit”: Anastas Lulo, kreu i Organizatës Komunistë të Rinisë u pushkatua për ‘”nim nga e majta”; Llazar Fundo, një nga themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare më 1941-in, i kthyer nga internimi sovjetik më 1944-ën, ku kishte humbur iluzionet e dikurshme, u rrah deri në vdekje në prezencë të misionit ushtarak anglez; Mustafa Gjinishi, anëtar i Byrosë Politike, u ekzekutua për shkak të themelimit të një fronti antifashist të përbashkët me grupet “borgjeze”. PKSh-ja doli nga lufta praktikisht me pamjen e një dege të partisë jugosllave. Shërbimi sekret shqiptar “Sigurimi” gjendej nën kontrollin e plotë të OZNA-s, ashtu si edhe shërbimet sekrete të vendeve të tjera evropianolindore gjendeshin nën kontrollin e NKGB-së (Komisariati i Popullit për Sigurinë e Shtetit, 1941-1946). Hoxhën gjithmonë e më shumë po e shqetësonte kërcënimi nga rivali i tij Xoxe, i cili, duke zënë vendin e ministrit të Punëve të Brendshme, drejtonte ‘Sigurimin’ dhe kishte mbështetjen e Titos.

Në maj të vitit 1947, Xoxe ndërmori një proces ndëshkimor ndaj nëntë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, të cilët kishin shprehur pakënaqësi ndaj jugosllavëve. Të gjithë u dënuan me burgime të gjata për “veprimtari armiqësore”. Në mbledhjen e KOMINFOR-it (Byroja Informative e Partive Komuniste dhe Punëtore, 1947-1956) në gusht të vitit 1947, Shqipërinë e përfaqësonte partia jugosllave. Katër muaj më pas Stalini i thotë Gjilasit (ish-ministër për Punët e Malit të Zi dhe më pas edhe Zv/president Jugosllavisë): “Ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë, dhe sa më shpejt, aq më mirë!”.

REVANSHI I ENVER HOXHËS

Konflikti sovjeto-jugosllav i vitit 1948 ndihmoi Hoxhën të fitonte luftën për pushtet ndaj Xoxes. Në kohën kur këshilltarët sovjetikë braktisën Beogradin, oficerët e MGB-së u dyndën në Tiranë. Pas ndarjes së Titos nga Moska, Hoxha urdhëroi largimin e menjëhershëm të të gjithë jugosllavëve që shërbenin (në Shqipëri, red.) dhe sulmoi rivalin e tij. Xoxe ndërmori përpjekje të pasuksesshme që të shpëtonte, duke u shtirur si i besuar i sovjetikëve. Atë dhe mbështetësit e tij i arrestuan ndërsa postin e ministrit të Punëve të Brendshme e zuri prosovjetiku Mehmet Shehu, i cili me ndihmën e këshilltarëve të MGB-së organizoi pastrimin dhe riorganizimin e “Sigurimit”. Pas pesë muajsh marrje në pyetje dhe torturash nga “Sigurimi”, nën vëzhgimin e këshilltarëve nga MGB-ja, Xoxja dhe mbështetësit e tij dhanë dëshmi të hollësishme … Xoxja pranoi se gjatë kohës së luftës ishte rekrutuar nga zbuluesit  anglo-amerikanë, se kreu i misionit ushtarak anglez i tha atij që në vitin 1943 se Tito ishte një spiun anglez dhe se ai kishte marrë pjesë në marrëveshjen që kishte për qëllim gëlltitjen e Shqipërisë nga Jugosllavia.

Më qershor të vitit 1949 Xoxen e pushkatuan për këto krime imagjinare. Gjyqi ndaj Xoxes dhe dënimi i tij ishin preludi i një serie të tërë gjyqesh demonstrativë ndaj përkrahësve realë dhe (më shpesh) imagjinarë të Titos, të organizuar nga MGB-ja në shumicën e vendeve të Evropës Lindore. Deri në vdekjen e Stalinit më 1953-in, Tito u konsiderua, ashtu si edhe Trocki, një heretik i madh. Por, ndryshe nga paraardhësi, ai doli i padëmtuar, madje fitues nga lufta pesëvjeçare me MGB-në. Në këtë kohë MGB-ja arriti disa suksese të shquara në luftën kundër shërbimeve sekrete perëndimore. Por si në rastin e NKVD-së së viteve ’30, pjesa kryesore e energjisë të MGB-së kishte shkuar në luftë kundër një armiku imagjinar”.

KIM FILBI DHE SHQIPËRIA

Agjenti i famshëm i KGB-së sovjetike, Kim Filbi, i vendosur në kupolën e shërbimit sekret britanik, është një tjetër personazh i lidhur me historinë e Shqipërisë komuniste, që ka zënë vend në faqet e librit. Sipas dy autorëve, Filbi ka ndihmuar me të dhëna MGB-në sovjetike, sidomos në periudhën 1947-1949, kur drejtonte në Turqi bazën e SIS (Shërbimit Sekret Inteligjent Britanik). Tekstualisht: “…ai (Filbi, red.) kishte mundësinë të dekonspironte agjentët që kalonin kufirin, duke zbuluar kontaktet dhe adresat e familjeve të tyre në Bashkimin Sovjetik. Posti i oficerit ndërlidhës mes SIS-it britanik dhe CIA-s amerikane, që ai zuri në Uashington nga 1949 deri në 1951, e lejonte atë që ta furnizonte kujdestarin e tij me materiale për operacionet, si të zbulimit britanik, ashtu edhe të atij amerikan.

Ai paralajmëroi MGB/KI (Komiteti i Informacionit i MGB-së, red.) në Shqipëri për zbarkimin e parë nga deti në tetor të vitit 1949, që e kishte përgatitur SIS-i, për planet e depërtimit përmes kufirit, të verës 1950, për desantët e parë të CIA-s, në nëntor të vitit 1950…” Pra, edhe nga brenda fortesës së KGB-së sovjetike, nga vjen një prej dy autorëve të këtij libri, pohohet se Kim Filbi ka ndihmuar komunistët shqiptarë përmes shërbimit sekret sovjetik. Por deri në vitin 1950 dhe jo më tej. Pasi siç është e njohur, në këtë kohë mbi Kim Filbin nisën të binin dyshime dhe në qershor 1951 atë e tërhoqën nga shërbimi aktiv, duke e kthyer mbrapsht në Londër dhe duke e vënë nën survejim të plotë.

Prandaj përkundër pasaktësive që hasën me shumicë, madje edhe nga historianë seriozë, Kim Filbi nuk ka gisht në mbarëvajtjen e radiolojës së famshme të Sigurimit Shqiptar me CIA-n – vitet 1952- 1953 – të quajtur “Liqeni i Vajkalit”. Kur për dy vjet me radhë celula e CIA-s në Greqi besoi se kishte kontakt me krerët e një grupi diversionist të futur në territorin shqiptar, por në fakt kishte rënë në lojën e Sigurimit që arrin të sjellë, të vrasë e arrestojë, përmes këtij kurthi, një numër kundërshtarësh të regjimit komunist. /Gazeta “Panorama/

Related posts

Vjen paralajmërimi, një i nxehtë i jashtëzakonshëm do ta përfshijë Evropën

dardanianews

Haki Abazi i VV-së në arkivat e ushtrisë serbe

dardanianews

Koalicioni qeverisës rrezikohet edhe në Vushtrri, Tahiri thotë se vendimi i takon VV-së

dardanianews