12.3 C
New York
April 16, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Si u prishën raportet me miqtë ndërkombëtarë, nga ato që kishte ndërtuar Presidenti Rugova?

Kosova ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian edhe pse ka kaluar më tepër se një dekadë që kur e shpalli pavarësinë e Kosovës. Kosova ka krijuar raporte të mira me shtete të ndryshme, e që është më e rëndësishmja, ruan marrëdhëniet e mira me SHBA-të, që dikur Presidenti historik, Ibrahim Rugova kishte punuar në këtë drejtim.

Presidenti Rugova kishte krijuar marrëdhënie të mira edhe me shtetet tjera evropiane, por që ndër vite ato u zbehën. Pas tij, kur erdhi në pushtet Hashim Thaҫi, ai e kishte të ndaluar të udhëtonte në disa shtete, që njiheshin si vende mike të Kosovës.

Prishjen e këtyre raporteve, e kanë konstatuar edhe disa publicistë e njohës të ҫështjeve politike.

Kështu, Idriz Zeqiraj për “Bota sot” ka thënë se përderisa Serbia nuk është e vetme në synimet e saj për të zhvatur sa më shumë territore nga Kosova, ajo përdorë kartën e Rusisë, si presion ndaj Amerikës dhe Evropës dhe me këtë taktikë, ajo “kullotë” në të dy anët. Ndërsa, sipas tij, Kina, motra e madhe e Enverit, kujtoni “vëllezërit kinezë e miqtë kosovarë”, në vitet `70-a, gjithnjë e gatshme dhe e dakorduar me Serbinë.

Zeqiraj: Edhe shtetet e Quintit kanë laramani pikëpamjesh

Image

Idriz Zeqiraj

FOTO GALERI

“Shtetet sllave të Evropës Lindore, përfshirë edhe Çekinë e Havelit, mikut të madh të Dr. Rugovës dhe të Kosovës, por, tani, e rënë në dorë të një presidenti sllavist, batakçi, i cili i kërkon falje Serbisë për bombardimet nga NATO-pakti. Edhe shtetet e Quintit kanë laramani pikëpamjesh. Dominojnë sloganet: “Kompromiset kërkojnë vendime të guximshme, ndonjëherë edhe të dhimbshme; ne mbështesim marrëveshjet, për të cilat palët dakordohen!”, ka theksuar Zeqiraj.

Ai tutje thotë se përgjatë luftës, Anglia ishte aleati më i zëshëm dhe besnik i SHBA-ve, për çështjen e Kosovës, fort i përkushtuar për çlirimin e saj, qoftë edhe me ndërhyrje tokësore, rast i rrallë për forcat e NATO-s, të cilat paraprakisht preferojnë tokën e djegur.

“”Loja” me Veriun e Mitrovicës, vë në dyshim sinqeritetin, dashamirësinë e Francës. Gjermania e Merkelit, ka qenë dhe vazhdon të jetë fort e angazhuar për Kosovën. Ajo denoncoi dhe pengoi planin e shkëmbimit të territoreve, si kamuflim i ndarjes të saj, me arsyetimin logjik, se do të kishte efekte zinxhirore në Ballkan e përtej. Kancelarja Merkel, duket se është mirë e informuar, për Ballkanin në përgjithësi dhe për Kosovën, në veçanti. Ajo, për shumë vite me radhë, konsultohet me drejtorin për Ballkanin, ish-deputetin e CDU, Stefan Schvarz, i cili, për më shumë se tri dekada, ka punuar në këtë sektor. Ai është mik i Kancelares, njëherësh, edhe mik i madh, i pahile, i sinqertë i Kosovës”, ka vlerësuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Publicisti thotë tutje se pritshmëria e përmbylljes të karrierës politike, të Kancelares Merkel, është shqetësues për Kosovën.

“Kujtoni një kancelar të SPD, si Schröder, i cili, edhe fitoi mandatin e dytë, madje, e festoi atë, Amerika nuk e pranoi, për rrjedhojë e dorëzoi mandatin e Kancelarit, për arsye të filtrimit të tij me Rusinë. Ai, edhe disa vite, pas shpalljes të pavarësisë të Kosovës, deklaronte se “kurrë nuk kam qenë, për pavarësinë e Kosovës!” Prandaj, fillimi i dialogut është mirë të bëhet menjëherë, madje, të intensifikohet, për çka bënë thirrje, madje, të përsëritur, edhe zyrtari i lartë i Merkelit, Peter Stano”, është shprehur publicisti.

Zeqiraj thotë se edhe SHBA-të mbështesin dialogun, duke i djegur ato prioritetet e renditura, nga kryeministri Kurti. Shqetësues është termi “kompromise”, i përmendur në letrën e presidentit Joe Biden. Por, lë të shpresojmë të mos bëhet fjalë për territore e Asociacionin.

Shahu: Janë zbehur marrëdhëniet me shtetet më të fuqishme

Image

Rexhep Shahu

FOTO GALERI

Po ashtu edhe Rexhep Shahu thotë se me papërgjegjshmërinë e drejtuesve të Kosovës, janë zbehur marrëdhëniet me shtetet më të fuqishme.

“Me papërgjegjshmërinë e drejtuesve të Kosovës, me sjelljet foshnjore të tyre, Kosova ka zbehë marrëdhëniet e miqësitë me mjaft shtete nga koha kur Rugova kishte vendosur marrëdhënie të forta simpatie me shtetet me të fuqishme”, është shprehur Shahu.

Tutje ai thotë se, drejtuesit e Kosovës pas Rugovës janë larg tij, por falë Zotit që janë shtetet e fuqishme që e kanë dhe e ruajnë miqësinë me Kosovën, e ruajnë simpatinë dhe marrëdhëniet me interes reciprok.

“Pastaj janë disa shtete mike tradicionale të shqiptarëve që nuk ndikohen nga politikanë radhë, e nga politikat e tyre të papjekura, por kanë dhe ruajnë miqësinë me shqiptarët, pavarësisht politikanëve të ditës. Unë dua të shpresoj se Amerika e Gjermania, Italia, etj., janë e do të mbeten miqtë e pandreqshëm në miqësinë e tyre ndaj shqiptarëve”, ka vlerëson Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Mehazi: Aleatët e Kosovës janë të njëjtë që nga presidenti Rugova e deri më tani

Ndërkaq, profesori Sylejman Mehazi thotë se aleatët e Kosovës janë të njëjtë që nga presidenti Rugova e deri më tani, vetëm se rrethanat politike të veprimit politik të Rugovës nën okupim të Kosovës, në krahasim me politikën e sotme diplomatike paqësore kanë ndryshuar dhe na duket se Kosova ka humbur mbështetjen nga disa shtete evropiane që nuk është e vërtetë.

“Dihet se te gjitha shtetet që kanë pasur raporte të mira me ish-presidentin Rugova me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 2008, e kanë njohur Kosovën që në ditët e para te pavarësisë së saj, SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca e radhazi. Marrëdhëniet jo të mira ndaj Kosovës dihen, ata janë pesë shtete evropiane që se kanë njohur Kosovën: Spanja, Rumania, Greqia, Qipro dhe Sllovakia”, ka theksuar ai.

Profesor Mehazi thotë se për shkak të politikës së mbrapshtë njëzet vjeçare, ka pasur mospajtime diplomatike me disa shtete që e kanë njohur Kosovën.

“Është normale që pas pavarësisë së Kosovës për shkak politikës së prapshtë njëzetvjeçare të qeverisë se Kosovës të ketë mospajtime diplomatike me disa shtete që e kanë njohur Kosovën, si p.sh, me liberalizimin e vizave, por nuk do të thotë se kanë ndryshuar raportet, raportet diplomatike janë të njëjta po idetë e veprimeve politike të disa shteteve evropiane janë të ndryshme e na duken si prishje raportesh ndaj Kosovës. Kosova i ka miqtë e krijuar nga i ndjeri Presidenti Rugova, po vetëm që kanë përplasje të ndryshme politike e diplomatike ndaj shtetit më të ri të Kosovës”, ka deklaruar profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Related posts

U zunë për Big Brother VIP? Arbana Osmani thyen heshtjen, flet për prishjen e raporteve me Luana Vjollcën

dardanianews

Policia konfirmon vetvrasjen e Lulzim Kryeziut, u gjet i varur në villën e tij në Mleqan të Malishevës

dardanianews

Sali Berisha flet nëse do të jetë dëshmitar në rastin e Hashim Thaçit, nëse i konfirmohet aktakuza

dardanianews