9.6 C
New York
April 18, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajmeShëndetësi

Vazhdon “mjeshtëria” në klinikat estetike, doktorët po injektojnë produkte të paautorizuara

Sallonet dhe klinikat estetike në Kosovë, në të cilat kryejnë ndërhyrje estetike janë tërësisht jashtë “llupës” së institucioneve vendore. Shkeljet të shumta që kryhen nga këto “klinika” janë raportuar nga sinjalizuesit dhe janë vërtetuar nga hulumtimet e Gazetës Sinjali.

Në maj të këtij viti, Sinjali pati publikuar një hulumtim, i cili zbardhi shkeljet që kryheshin nga e ashtuquajtura klinikë “FACIAL AM”, në Prishtinë nga një “doktoreshë” pa licencë e pa diplomë, e cila për vite me radhë u prezantua me titullin “doktor”, ndonëse u diplomua vetëm pak muaj para publikimit të hulumtimit.

Vajzat të cilat ia kishin besuar fytyrën “Dr. Lindës” ishin ankuar për efekte anësore dhe rezultatet të padëshiruara, të cilat dyshojnë se kanë ardhur nga përdorimi i produkteve të dyshimta gjatë injektimit.

Rast tjetër i ngjashëm, për të cilën raportoi Sinjali, është ai i përdorimit të tubave për procedurat e injektimit të plazmës së njohur si PRP nga Dr. Fitore Boshnjaku – Halili, në ordinancës “Dentaris”, po ashtu në Prishtinë.

Doktoresha në fjalë dyshohet se kishte injektuar plazmën për regjenerim të flokëve në kokën e një pacienti nga tubat me afat të skaduar.

Për më tepër, tubat e përdorur për PRP në këtë rast dyshohet se nuk kanë qenë tuba të duhur për këtë procedurë, por tuba për analiza të gjakut, përdorimi i të cilave është i ndaluar të përdoret në bazë të legjislacionit të BE-së.

Por, licencat dhe afati i produkteve janë vetëm disa nga shkeljet që kryejnë këto klinika, e që kalojnë pa u vënë re nga organet e hetuesisë.

Rasti më i ri me të cilën është njoftuar Gazeta Sinjali është përdorimi i fillerave dermalë REVOLAX për injektim në buzë dhe fytyrë, shitja e të cilëve nuk është e lejuar në Evropë, pasi që nuk e ka cilësinë dhe sigurinë e duhur për vënien në treg.

Mirëpo, ajo kjo gjë nuk po i ndalon klinikat në Kosovë që ta përdorin atë. Nga fotot e publikuara në profilin e doktoreshës Blerina Islami, kuptohet se në klinikën e saj përdoret ky produkt, i cili në pako e ka të shënuar që nuk lejohet të përdoret në BE.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me doktoreshën në fjalë, për të marrë një përgjigje nga ajo se pse përdor produkte të tilla dhe si arrin që të njëjtat t’i fusë në Kosovë, kur përdorimi dhe shitja e tyre është e ndaluar në Evropë, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Ndonëse nuk shfrytëzoi hapësirën e ofruar nga Gazeta Sinjali për të dhënë versionin e saj për këtë çështje, Dr. Blerina Islami u “motivua” nga pyetjet e redaksisë që të fshijë çdo “gjurmë” të përdorimit të këtij produkti nga ajo.

Ajo ka larguar nga Instagrami i saj postimin dhe storien e realizuar në klinikën e saj, ku shihet filleri dermal REVOLAX, në pjesën e sipërme të pakos së të cilit shkuan që përdorimi i tij nuk lejohet në Evropë.

Sinjali me hulumtime të mëtutjeshme ka zbuluar se fillerë të tillë REVOLAX të paautorizuar në BE, përdoren edhe në disa klinika të tjera estetike në Kosovë.

Një burim brenda një klinike tjetër estetike në kushte anonimiteti e ka pranuar për Gazetën Sinjali se në klinikën ku punon, e përdorin fillerin dermal të kompanisë REVOLAX, shitja dhe përdorimi i të cilit është i ndaluar në Kosovë.

Ky burim thënë se arsyeja se pse zgjedhin këtë produkt është për shkak të çmimit më të lirë, pasi që filleri dermal REVOLAX i autorizuar kushton 50 euro, ndërsa ky i paautorizuar është shumë më i lirë.

Sipas tij, klinika ku ajo punon furnizohet me këtë produkt përmes Shqipërisë.

Se ky produkt i paautorizuar po qarkullon në tregun e Kosovës dhe po përdoret në klinikat estetike e ka konfirmuar edhe Dr, Rezana Saraqi – Govori.

E kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Dr. Rezana ka thënë se është në dijeni për këtë lloj produkti, por ajo vetë përdor vetëm variantin e autorizuar nga bashkimi Evropian.

Ajo ka thënë se janë dy lloje të këtij filleri dhe se ka pasur raste kur në klinikën e saj kanë shkuar me fillerin i cili nuk është i autorizuar për përdorim në BE dhe ajo ka refuzuar një gjë të tillë.

Madje, ajo thotë se i ka këshilluar shitësit që të mos sjellë produkte të tilla të paautorizuara në Kosovë.

“Ka dy lloje të fillerëve REVOLAX, ai që është i autorizuar nga Bashkimi Evropian dhe ai që nuk është, Filleri i cili është i autorizuar nga BE, ka mbrapa markën CE, ndërsa tjetri nuk e ka dhe shkruan qartë ‘nuk është për shitje në BE’, siç edhe shihet në foton të cilën e kam bashkëngjitur këtu.”

“Unë punoj me REVOLAX që tre vjet dhe gjatë gjithë kohës kam punuar vetëm me atë filler, i cili është i autorizuar nga Bashkimi Evropian. Ka pasur raste kur më kanë ardhur në klinikë me fillerin REVOLAX që nuk e ka fare markën CE (pra nënkupton se nuk është i autorizuar nga BE) dhe natyrisht se kam refuzuar ta përdor dhe po ashtu e kam njoftuar edhe shitësin që të mos sjellin diçka të tillë në treg”, tha ajo për Sinjali.

Pas kërkesës së Sinjalit, ajo ka dërguar në adresë të redaksisë një video të produkteve që ajo përdor, në të cilën shihet produkti REVOLAX me markën CE, mirëpo i njëjti është prodhim korean, i prodhuar nga ACROSS KOREA.

VIDEO e dërguar nga Dr. Rezana Saraqi – Govori

Raste të tilla të përdorimit të këtij filleri ka mjaft, por mjekët hezitojnë të deklarohen. Në kushte anonimiteti, një doktoreshë ka thënë për Sinjalin se këtë filler po e përdor sepse ka çmim më të lirë, çmimin e marrjes për 1ml shiringë është diku 40/50 euro, ndërsa nëse blihet në sasi të mëdha, është edhe më i lirë. Ndërsa, injektimi për një pacient, sipas saj, është nga 150 deri në 200 euro për 1ml.

Gazeta Sinjali fton Inspektoratin Shëndetësor, Farmaceutik, Inspektoratin Tatimor dhe të Doganës, të shqyrtojnë edhe më tutje rastet e lartshënuara dhe raste të tilla të ngjashme.

Doktorët e kësaj fushe paralajmërojnë se nëse rastet e tilla vazhdojnë edhe më tutje, do të kemi shfaqje të alergjive, komplikimeve e deri te kanceri i lëkurës, për shkak të përdorimit të produkteve false, të paautorizuara dhe të paverifikuara./Gazeta Sinjali/

Related posts

QUNI E KONFIRMON: HASKUKA PRISHI KOALICIONIN ME LDK-NË, SHKARKOI DREJTORËT

dardanianews

Kriza e Koronavirusit: Ministri Abdixhiku jep super lajmin për qytetarët e Kosovës

dardanianews

A do të futet Hashim Thaçi në listën e zezë të SHBA-ve?

dardanianews