2.3 C
New York
April 22, 2021
DardaniaNews
Featured Lajme

Specialja ua vazhdoi paraburgimin ish-krerëve të UÇK-së, këto ishin pretendimet që e bindën gjykatën

Gjykata Speciale ka vendosur që t’i lë në paraburgim ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që në fillim të vitit të ri, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka vendosur që veç e veç, të gjithë të akuzuarve t’ua refuzojë kërkesat për lirim të përkohshëm me kusht, raporton Gazeta Express.

Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt kishin bërë kërkesa që t’i lirojnë klientët e tyre, duke i ofruar Gjykatës Speciale kushte me të cilat ajo do të sigurohej se ish-krerët e UÇK-së nuk do të arratiseshin dhe se nuk do të ndikonin në procesin kundër tyre.

Në të gjitha rastet, gjykata ka vendosur pro pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që për secilin të akuzuar ka dërguar material në Speciale për të kërkuar mbajtjen e tyre në paraburgim.

Çfarë e bindi Gjykatën Speciale për t’i mbajtur në paraburgim ish-krerët e UÇK-së?

Në parashtresat e kryeprokurorit special, Jack Smith, janë renditur argumentet se pse ish-krerët e UÇK-së, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të disa prej tyre me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ata nuk duhet të lirohen as përkohësisht. Smith në të gjitha parashtresat ka pretenduar se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim.

Organi i akuzës në Hagë ka pretenduar se kriteret për t’i mbajtur në paraburgim ish-krerët e UÇK-së janë përmbushur dhe se këto kritere “nënvizojnë seriozitetin e rreziqeve të paraqitura”. Sipas Prokurorisë, “asnjë masë alternative nuk adreson sa duhet këto rreziqe”.

Prokuroria në parashtresat kundër të akuzuarve po ashtu thekson pretendimin e saj se ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, të cilët thuhet se ish-krerët e UÇK-së kanë mundësi që t’i heshtin.

ZPS është ankuar se si organ i akuzës nuk kanë burime për t’i mbikëqyrur ish-krerët e UÇK-së nëse ata do të liroheshin përkohësisht. Është përmendur edhe mandati i EULEX-it, ndërsa kryeprokurori Smith ka konsideruar se “autoritetet e Kosovës janë të kufizuara në aftësinë e tyre për ta mbikëqyrur një të akuzuar”.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit të kaluar. Ai akuzohet për një sërë veprash që cilësohen si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë ishin katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor 2020, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar -ndër tjerash- i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. /Express/

Related posts

Nuk ndalet Albin Kurti: E shkarkon drejtorin e Aviacionit Civil

dardanianews

Limaj: Nuk kam parë kopje më të zbehtë të Hashim Thaçit se Albini

dardanianews

Quni i jep edhe një shans Kurtit: Rikthejeni Veliun, dhe unë me urgjencë po i kërkoj Mustafës ta tërheqë mocionin!

dardanianews