Hulumtuesit janë duke kryer testime nëse vaksinat e vjetra me dekada kundër poliomielitit dhe tuberkulozit do të mund të na mbronin nga infektimi.
Melinda Wenner Moyer
Përderisa bota pret një vaksinë, dhjetëra mijëra njerëz mund të vdesin. Megjithatë, disa shkencëtarë besojnë se një vaksinë tashmë mund të ekzistojë.
Një studim i ri befasues në fushën e imunologjisë sugjeron se disa vaksina të caktuara, të cilat kanë qenë në qarkullim për dekada me radhë, do të mund të ofronin mbrojtje kundër koronavirusit. Teoria është se këto vaksina mund të ndikojnë që njerëzit të kenë më pak rrezik të përjetojnë simptoma serioze apo ndonjë simptomë, nëse infektohen.
Në më shumë se 25 universitete dhe qendra klinike në mbarë botën, shkencëtarët i kanë filluar testimet klinike, kryesisht në punëtorët shëndetësorë, për të parë nëse një vaksinë kundër tuberkulozit, që është përdorur për 99 vjet, e quajtur Bacillus Calmette-Guerin ose BCG, do të mund ta zvogëlonte rrezikun që vjen nga koronavirusi.
Një grup tjetër i vogël por me famë i shkencëtarëve është duke mbledhur të holla për t’i testuar efektet e mundshme mbrojtëse të një vaksine 60-vjeçare kundër poliomielitit, e quajtur O.P.V.
Është në kundërshtim me intuitën të mendohet se vaksinat e vjetra, të krijuara për të luftuar patogjenë shumë të ndryshëm, do të mund të ofronin mbrojtje kundër koronavirusit. Ideja është kundërthënëse pjesërisht për shkak se e sfidon dogmën për mënyrën se si funksionojnë vaksinat.
Megjithatë, të kuptuarit e një dege të imunologjisë nga shkencëtarët, e njohur si imunologjia e lindur, ka ndryshuar viteve të fundit. Sipas një hulumtimi, vaksinat e ashtuquajtura të gjalla, të cilat prodhohen nga patogjenët e gjallë, por të dobëuar, ofrojnë mbrojtje të gjerë kundër infeksioneve në një mënyrë që askush nuk e ka parashikuar.
“Ne nuk mund të jemi të sigurt se cili do të jetë rezultati, por unë nuk dyshoj se do të ketë një efekt ndaj koronavirusit. Çështja është se sa i madh do të jetë ky efekt”, tha Jeffrey Cirillo, mikrobiolog dhe imunologjist në Universitetin A&M të Teksasit, i cili është duke e udhëhequr njërin nga testimet e vaksinës B.C.G.
Shkencëtarët theksojnë se këto vaksina nuk do të jenë zgjidhje për gjithçka. Ato mund t’i bëjnë simptomat më të buta, por ndoshta nuk do t’i eliminojnë ato. Mbrojtja, nëse shfaqet, sipas të gjitha gjasave do të zgjaste vetëm disa vite.
Dëshmia e parë që linte të kuptohet se vaksinat me patogjentë të gjallë mund të jenë mbrojtëse më të gjera rrodhi para gati një shekulli, por askush nuk dinte si të përfitohej prej saj. Më 1927, Carl Naslund nga Shoqata Suedeze e Tuberkulozit kishte vërejtur se fëmijët e vaksinuar me vaksinë kundër tuberkulozit kishin tri herë më pak gjasa të vdesin nga çfarëdo shkaku tjetër në krahasim me fëmijët e pavaksinuar.
Përgjigjja për pyetjen se a do të ofrojnë këto vaksina efekte mbrojtëse kundër koronavirusit pritet të vijë së shpejti. Rezultatet fillestare të testimeve që janë në proces e sipër mund të jenë të gatshme brenda pak muajve. Nëse këta hulumtues kanë të drejtë, këto vaksina të vjetra mund të na blejnë kohë dhe t’i shpëtojnë mijëra jetëra përderisa ne punojnë për zbulimin e një vaksine të re.