9 C
New York
December 10, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Shkruan Berat Buzhala: Pse tutna nga Albini

Ai është i lexuar, di gjuhë të huaja, e ka shëtitur botën, në një formë është kozmopolit, por, në anën tjetër, veprimtaria e tij jetësore është ajo e një profeti të pagabueshëm, që grumbullon rreth vetes lukuni vigjilentësh të verbër, që e trazojnë këdo që në çfarëdo forme mendon ndryshe prej tij. Ai duhet që urgjentisht ta ndryshojë këtë mënyrë të operimit.

Berat Buzhala

Sot i kam 44 vjet dhe nëse e kthej kokën mbrapa, unë nuk pajtohem, në disa raste turpërohem, me shumë vendime dhe veprime që i kam bërë në jetë.

Kështu, për shembull, si i ri, sigurisht i ndikuar nga rrethi dhe nga ato lexime të pakta, mendoja se homoseksualët nuk e meritonin asnjë të drejtë, e lëre më që të martoheshin a të kishin fëmijë. Ka mundësi që ndonjëherë edhe jam pajtuar me Hitlerin në segmente të caktuara. “Ai e ka pasë gabim, por…”. Ndoshta e kam thënë ndonjëherë një gjë të tillë. Nuk di çfarë dreqin kam qenë duke bluar në Më vonë, në vitet e 90’ta, një rol të rëndësishëm në pikëpamjet e mia shoqërore filloi ta merrte religjioni. Duhet të gjithë të konvertohen në krishterim, nëse dëshirojmë të çlirohemi nga Serbia. Një Samuel Huntington nga një fshat i thellë i Kosovës. Në këso konstatimesh unë arrija pa ndonjë analizë të thellë.

Pak vite më vonë, Beratit të asaj kohe do t’ia jepja disa flakaresha të mirë. Në fakt, sot e mendoj të kundërtën: Ne u çliruam, sepse ishim me shumicë myslimane. E kështu me radhë.

Nuk e di çfarë kam qenë duke menduar as kur e kam quajtur Hashim Thaçin “Lionel Messi”. Ose kur kisha vendosur që të angazhohesha në një gurëthyes. Kushedi se çfarë do të mendoj pas 20 vjetëve për ato që po i bëj dhe që po i shkruaj sot.

Në këtë mes nuk jam i vetëm. Poshtë e përpjetë nëpër botë, lexojmë dhe mësojmë për figura të ndryshme se qysh janë penduar për çfarë kanë bërë. Lexojmë për gabimet e tyre dhe për mësimet që i kanë nxjerrë. Mirë do të ishte të mësonim prej gabimeve të të tjerëve, por ja që kjo është shumë e vështirë. Kemi nevojë për një mësim të rëndë dhe të paharruar.

Vetëm Albin Kurti nuk gabon. Vetëm ai nuk ka gabuar asnjëherë. Së paku, nuk e kemi dëgjuar kurrë me gojën e tij të pranojë një gjë të tillë.

Ai nëpër studio televizive sot flet për rëndësinë e ndërhyrjes së trupave të NATO’s në Kosovë, mirëpo është më lehtë që t’ia shpojmë hundën me një copë të telit, sesa ta dëgjojmë duke pranuar që kishte qenë krejtësisht gabim në momentin historik, kur kërkohej konsensus kombëtar për ta nënshkruar marrëveshjen në Rambuje, që i mundësoi bombardimet e NATO’s. Albinin nuk e kam dëgjuar kurrë që ta pranojë atë gabim.

Nuk e kam dëgjuar kurrë që të pendohet për kundërshtim radikal që ia bëri Pakos së Ahtisaarit, pas së cilës erdhën mbi 100 njohje. Nuk e kam dëgjuar as duke i rënë pishman deklaratave të tij që “populli i Kosovës nuk e do Amerikën, por thjesht frikësohet prej saj”. Madje, nuk e kam dëgjuar as t’i ketë rënë pishman qysh në prani të tij, në Tiranë, është rrahur prej njerëzve të tij një këngëtar i komunitetit rom, veç pse e kishte kënduar një këngë me motive sllave, ndoshta serbe.

Pranimi i gabimeve nuk është në traditën shqiptare. Ky nuk është një ves vetëm i Albin Kurtit. Mirëpo, kohë pas kohe, kam dëgjuar liderë të tjerë shqiptarë duke pranuar që në një rast të caktuar kishin gabuar. E kam dëgjuar Ismail Kadarenë duke pranuar që Rugova e kishte pasur mirë, kurse ai e kishte pasur gabim. E kam dëgjuar edhe Sali Berishën duke pranuar që kishte gabuar kur e kishte kundërshtuar, gjithashtu, Rugovën. E kam dëgjuar ish-liderin laburist, Tony Blair, duke pranuar që e kishte pasur gabim për luftën në Irak. Në anën tjetër, një lider si Barack Obama, në fund të presidencës së tij, kishte pranuar që kishte qenë krejtësisht gabim rreth qasjes ndaj luftës në Libi dhe përpjekjeve për ta rrëzuar diktatorin Gadafi.

Për ta thjeshtësuar këtë gjë, thjesht hyni në Google dhe kërkoni në gjuhën angleze “filan fisteku admits he was wrong” dhe e shihni se çfarë rezultatesh do të merrni. Nëse të njëjtën gjë do ta kërkoni për Albin Kurtin, në gjuhën shqipe, të vetmet rezultate që do t’i gjeni janë të kësaj natyre: “Kurti: Edhe ShBA’ja mund të gabojë”, “Kurti: Ibrahim Rugova e kishte gabim”. Askund, në asnjë vend, ai nuk është penduar për atë që ka bërë dhe çfarë ka thënë.

Ndryshimet eventuale që ai i bën, shumicën e herëve simbolike, ai i bën sa për sy e faqe, duke mos pranuar që në një fazë të rritjes së tij kishte gabuar. Kurti shkon e përkujton Rugovën të vdekur, pas shumë hezitimeve, por në asnjë moment nuk tregon që kishte gabuar në raport me të.

Flet me respekt për simbolet e shtetit, por nuk pranon të flasë për kohën kur ai i përqeshte ato. Ndryshimet eventuale simbolike të tij ai i bën nën presion, mirëpo duke mos i pranuar gabimet, ai u çon mesazh militantëve të tij të verbër se këto ndryshime po i bën jo pse beson në to, por për arsye pragmatike. Prandaj, besimtarët e Kurtit mendojnë që ai nuk ka gabuar kurrë, që ai është një lloj pejgamberi që, edhe kur lëshon pe, nuk e bën këtë pse është penduar për veprimet dhe deklaratat e tij të mëhershme, por sepse presioni është tepër i madh.

Kjo më frikëson mua te Kurti.

Një njeri i lexuar, që di gjuhë të huaja, që e ka shëtitur botën, që në një formë është kozmopolit, por, në anën tjetër, veprimtaria e tij jetësore është ajo e një autokrati në ardhje, që grumbullon rreth vetes një lukuni vigjilentësh që e trazojnë qoftë në rrugë qoftë në rrjete sociale këdo që në çfarëdo forme mendon ndryshe prej tij. Kurse Kurti nuk bën përjashtim prej çfarë shohim sot në botë, qoftë në të djathtën ose në të majtën politike. Kjo është pika ku sot përputhen Donald Trump-i me Bernie Sanders-in. Nuk do mend që Sanders-i është një politikan progresiv, që gjuha e tij, krahasuar me atë të Donald Trump-it, dallon sikur nata me ditë, por edhe Sanders-i, sikur Kurti, në asnjë moment nuk është penduar për të kaluarën e tij skandaloze, duke qenë përkrahës i Bashkimit Sovjetik dhe i një numri jo të vogël të diktatorëve të së majtës në Amerikën Latine. Sanders-i sot e kësaj dite ka fjalë të mira për Fidel Castro-n ose, pak më afër, për një lider të së majtës evropiane, siç është Jeremy Corbin-i. Krejtësisht iracional dhe i papërmirësueshëm. Një politikan që garon në një shtet demokratik, siç është Britania e Madhe, por që në ëndrrat e tij, shteti ideal do të kishte qenë Bashkimi Sovjetik. Një politikan që fotografohet me liderë të organizatave terroriste, siç janë Hamas-i dhe Hezbollah-u, e që në anën tjetër, fjalët më të zeza i ruan për një politikan si Tony Blair. Në sytë dhe në mendjen e Corbyn-it, që e mori çmimin që e meritonte, botën e bën më të keqe Blair-i sesa Hasan Nasrallah-u. Në këso territoresh operojnë edhe autokratë të tjerë, si Orban-i, Erdogan-i apo Putin-i. Të tre këta të fundit u kanë ndihmuar popujve të tyre në aspektin ekonomik. Ekonomia ruse nën Putin-in është tre-katërfishuar, siç ka ndodhur edhe me ekonominë turke dhe atë hungareze nën Erdogan-in dhe Orban-in, mirëpo emëruesi i përbashkët i të gjithë këtyre është që demokracia në ato vende ka vdekur. Nuk ka medie të lira dhe nuk ka shoqëri civile, mirëpo ka mbështetës agresivë, gati paramilitarë, që janë në gjendje që ta marrin drejtësinë në duart e tyre për ta mbrojtur figurën e pamëkatë të liderit të tyre, e them të pamëkatë, sepse në sytë e tyre, ata kanë diçka hyjnore. Ashtu siç e marrin drejtësinë në duart e tyre fanatikët religjiozë, kur e dëgjojnë dikë duke e kritikuar zotin që ata e adhurojnë.

Rasti më i freskët ishte ai i javës së kaluar. Pas një presioni të madh ndërkombëtar, kryeministri Kurti e hoqi taksën ndaj mallrave serbe – dhe mirë bëri – mirëpo, për shkak të rezistencës së tij të madhe, për shkak të mënyrës së si ai e tha këtë, një numër jo i vogël i mbështetësve të tij këtë dorëzim të Kurtit e shiti si një fitore të madhe të tij. Gjëja më e mirë në gjithë këtë histori është që Kurti, megjithatë, po qeverisë në një koalicion me një subjekt tjetër, që ka po aq deputetë sa ka edhe Kurti, sepse gjërat do të mund të eskalonin në mënyrë shumë më të rrezikshme, nëse do të ndiqej kjo rrugë.

Në prill të vitit të kaluar, e pata shkruar një kolumne në Gazetën Express, me titullin: Tash ia vlen ta mbështesim Kurtin. Ka qenë kjo koha kur ai e kishte nisur një xhiro nëpër qytete të ndryshme të Kosovës kundër asaj që ai e quante “PANhajni”. Tubimet që po mbaheshin kishin një nivel të ulët të pjesëmarrjes. LVV’ja ishte në pikën e saj më të ulët, sepse prej saj ishin larguar pothuajse 30-40 për qind e deputetëve. Kulmi i kësaj proteste ishte dështimi i një tubimi në Prishtinë, ku kërkohej që të largohej kryeprokurori Aleksandër Lumezi. Mirëpo asnjë prej këtyre arsyeve nuk më kishin bindur që ta konsideroja Albin Kurtin të vdekur dhe të panevojshëm. Përkundrazi, edhe atëherë e edhe tash, atë e konsideroj të nevojshëm për demokracinë tonë, për zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit. Mirëpo të gjitha këto nuk do të vlejnë as pesë dinarë, nëse Kurtin dhe organizatën e tij i kaplon dalldia dhe fillojnë të argëtohen me ide të rrezikshme të luftimit me çdo mjet kundër secilit që mendon ndryshe prej tyre. Edhe më tutje, gjendja nuk ka shkuar aq larg, mirëpo tendencë për një gjë të tilla ka. Le të merret ky shkrim si një Paralajmërim i Hershëm.

Related posts

Nuk mund ta besoni, kaq i pasur është ministri Arben Vitia

dardanianews

Njoftim nga shoqata e SHBK “Sali Çekaj” në Zvicër

dardanianews

Deputeti i VV – Haradinajt: Vëllau im s’u punësua por u emërua, ka trefishin e diplomave tuaja të blera

dardanianews