Gjatë këtyre ditëve e gjithë politika shqiptare, si ajo e majtë ashtu edhe ajo e djathtë janë duke u marrë me çështjen e presidentit. Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë angazhuar në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri por duket se ky proces do ketë edhe surpriza. TCH ka mësuar se Princ Leka Zogu është kandidati i parë për president pasi ka edhe ‘bekimin’ e ndërkombëtarëve.
Kjo pasi më 4 korrik të vitit të kaluar në Tiranë mbërriti ish-zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, sot ambasador i SHBA në Londër, Philip Reeker. Për disa orë, Reeker vizitoi kryeministrin Edi Rama, kryedemokratin Lulzim Basha dhe më pas i shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim, ai takoi për herë të parë një trashëgimtar të mbretërisë shqiptare. Philip Reeker u takua me Princ Lekën dhe ky takim pati shumë bujë asokohe.
Kujtojmë se më 24 korrik, presidentit aktual Ilir Meta i mbaron mandati i presidencës. Kuvendi sipas Kushtetutës duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se data 24 maji. Pas përcaktimit të datës së raundit të parë në zbatim të nenit 87 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për President. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjedhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 84 vota, ndërsa në dy te tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës në muajin maj do të jetë votuar nga Kuvendi. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate.